Në vitin 2020, pavarësisht pezullimit të aktiviteteve kulturore në Shqipëri, për shkak të pandemisë Covid-19, Fondacioni ARTE arriti të organizojë një projekt shumë të rëndësishëm të titulluar “Tirona K’non“.
Ky projekt u organizua në kuadër të kremtimit të 100 vjetorit të Tiranës si kryeqyteti i Shqipërisë. Tirana si kryeqyteti i vendit është bërë, në gjykimin tonë sikurse gjithë kryeqytetet në të gjithë botën, një qytet multi-kulturor, çka ka dobësuar trashëgiminë e tij autoktone. Për të mbrojtur dhe promovuar muzikën tradicionale të qytetit të Tiranës, ne propozuam projektin “Tirona K’non”.
Projekti konsistonte në realizimin e një LP dhe CD me muzikë tradicionale të Tiranës, të mbledhura dhe të performuara nga vetë bartësit. Në mënyrë që të siguronte një produkt profesional, ARTE kontraktoi një producent dhe një inxhinier të BBC çka na siguroi, në këndvështrimin tonë, një nga produktet më të mira muzikore që është realizuar ndonjëherë në Shqipëri. Aktualisht ky produkt është duke u promovuar në mediat elektronike ndërkombëtare.