Fondacioni ARTE realizoi me sukses projektin “Tirona K’non”, në kuadër të të cilit u realizuar albumi, i titulluar “Tirana Tirona Allstars”, me muzikë tradicionale të qytetit të Tiranës.
Këngët dhe pjesët instrumentale të këtij albumi sigurisht që nuk materializojnë tërësinë e trashëgimisë muzikore të qytetit të Tiranës, çka në çfarëdo kushtesh do të ishte e pamundur, por synojnë të konsiderohen një kujtim zanor i shpirtit artistik të banorëve të qytetit. Materialet muzikore të këtij albumi kanë shoqëruar, në përditshmërinë e tyre, Tironsit e vjetër dhe Tiransit e rinj, dhe, de facto, kanë qënë kolona zanore e rrugicave dhe shtëpive me qerpiç. Për të nënvijëzuar elementët e sipërpërmendur, në realizimin e këtij albumi, janë përzgjedhur bartës, të cilët përpos interpretuesit kanë dhënë një ndihmesë të vyer në evidentimin e vetë materialeve muzikore. Kësisoj ky album muzikor është një dhuratë që Tironsit ia bëjnë qytetit dhe bashkëqytetarëve të tyre. Projekti u realizuar në kuadër të 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet dhe u mbështet nga Bashkia e Tiranës.